Në urën e liqenit të Ujmanit duhej të vendosej një shenjë që ndalon hedhjen nga ura. Kështu thotë eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.
Çështja e sigurisë në vende të tilla u aktualizua edhe më shumë pas ngjarjes tragjike që ndodhi të dielën, më 27 korrik, kur një 33-vjeçar kërceu nga ura dhe u mbyt në Liqenin e Ujmanit. Trupi i tij u gjet vetëm tri ditë më vonë nga ekipet e specializuara të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, shkruan A2 CNN.
“Duhet të vendosen shenja ndalimi për kërcim te Liqeni i Ujmanit. Përderisa aksidenti nuk ka ndodhur si rezultat i përplasjes në komunikacion ose diçka të ngjashme, krejt çfarë mund të bëhet është një shenjë komunikacioni që ndalon kërcimin nga ura. Ajo nuk është ekskluzivisht shenjë e komunikacionit, por është një prej shenjave që ne i propozojmë – që nuk lejohet kërcimi prej rrugës”, tha Ahmeti.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, thotë për KosovaPress se pas rastit tragjik të 33-vjeçarit kanë diskutuar me Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” për vendosjen e shenjave.
“Kemi biseduar me Ibër-Lepencin për vendosjen e shenjave te Liqeni i Ujmanit. Jo, s’ka pasur [shenja paralajmëruese]… Kemi biseduar [me Ibër Lepencin] pasi ka ndodhur rasti, u kemi thënë se kush është përgjegjës për vendosjen e shenjave aty dhe besoj që Ibër-Lepenci do ta marrë përgjegjësinë sepse ata janë përgjegjës për liqenin. Ata do të punojnë për vendosjen e shenjave, ku do që ka nevojë, për të përcaktuar vendin, zonën e ndalimit ku nuk duhet të lahen”, u shpreh Elshani.
Por, kryeshefi i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, thotë se nuk është kompetencë e ndërmarrjes që të vendosë për shenjat në rrugë, ndërsa pohon se duhet të ketë koordinim në mes të institucioneve.
“Unë nuk vendosi shenja, duhet të kemi koordinim. Unë nuk mund t’i vendosi vet këto gjëra. Normalisht që duhet të kemi koordinim jo vetëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse këtu ngërthehen shumë gjëra. Është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është liqeni. Ende statusi i liqenit nuk është i definuar nëse uji është për pije, sepse uji i liqenit të Ujmanit përdoret për pije. Ka disa kufizime të caktuara. Është një operacion që kërkon ndërthurje të shumë ministrive”, tha Mujka.
Në anën tjetër, Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës nuk është përgjigjur lidhur me këtë çështje, deri në publikimin e këtij artikulli. (A2 Televizion)