
Trupi gjykues në Gjykatën e Hagës konstatoi se Kadri Veseli dha kontribut në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe ishte anëtar kyç në realizimin e tij. Sipas trupit gjykues Veseli mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve, si dhe u përfshi në procesin e identifikimit dhe shënjestrimit të kundërshtarëve.
“Veseli, së bashku me të akuzuarit e tjerë, emëroi persona kyç në pozita për të jetësuar qëllimin e përbashkët. Veseli mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve. Ai u përfshi në procesin e identifikimit dhe shënjestrimit të kundërshtarëve, shumë prej të cilëve edhe u vranë. U mor personalisht me arrestimin, ndalimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Hallaqit, si dhe me arrestimin, ndalimin dhe lirimin e një të ndaluari tjetër nga UÇK-ja. Veseli kishte dijeni për krimet e kryera kundër kundërshtarëve dhe, me gjithë dijeninë që kishte, nuk ndërmori asnjë hap për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e këtyre krimeve”, tha Charles Smith.
Po ashtu trupi gjykues tha se Rexhep Selimi mori pjesë në arrestimin e 13 deputetëve. (A2 Televizion)