
Gjenerali amerikan, Wesley Clark ka vijuar dëshminë e tij në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë edhe gjatë ditës së martë.
Ai tha se nuk ka prova dhe dëshmi që Ushtria çlirimtare e Kosovës ka kryer spastrim etnik të serbëve. “Kam indikacione që provojnë të kundërtën”, u shpreh Clark në përgjigje të pyetjes së prokurorit lidhur me pretendimet e parashtruara në një dokument.
Clark pohoi gjithashtu se nuk mund të konfirmojë nëse ndonjë organ apo entitet qeveritar i ndonjë vendi anëtar të NATO-s i kishte dhënë armë UÇK-së pas nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë në fillim të vitit 1999.
Në mbyllje të dëshmisë së tij, gjenerali amerikan në pension, para Gjykatës Speciale përsëriti se Hashim Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës apo hakmarrjes që kanë ndodhur në Kosovë dhe se luftëtarët e UCK nuk ishin terroristë pasi luftuan për lirinë e tyre. (A2 Televizion)
