Zgjedhjet në Kosovë, këtë javë pritet të përfundojë numërimi i votave

Nga Ideal Gola
5 Janar 2026, 16:38 | Aktualitet

Gjatë kësaj jave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve pritet që të përfundojë numërimi i votave të ardhura përmes postës nga diaspora, numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, gjë që do të shënonte edhe përfundimin e numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Në mesin e datave se kur është planifikuar që të shpallim rezultatit përfundimtare ka qenë data 19 janar, por sipas dinamikës së punës që është bërë qoftë në Qendrat Komunale të Numërimit apo në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve po besojmë që shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet shumë më shpejtë sesa ishte planifikuar fillimisht nga KQZ”, tha për A2 CNN, kreu i KQZ-së Valmir Elezi

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, çdo administrim numërimi që bëhet në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve mund të jetë objekt i ankesës në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

Vetëm pasi të trajtohen këto ankesa, mund të shpallet rezultati përfundimtar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Edhe pas këtij akti, do të lihet një periudhë kohore për ankesa të tjera.

“Subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtën e tyre që të paraqesin ankesat ndaj rezultatit të shpallur nga ana e KQZ. Këto ankesa mund të bëhen në PZAP e cila ka kohë disa ditë të trajtojë dhe të vendosë për ankesat në fjalë, në rast se pala është e pakënaqur me vendimin e PZAP e njëjta mund të dërgojë në Gjykatën Supreme”, u shpreh për A2 CNN, Elezi.

Vetëm pas shqyrtimit edhe të ankesave që kanë të bëjnë me rezultatin përfundimtar, KQZ do të certifikojë rezultatin që i hap rrugë konstituuimit të institucioneve të reja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos