Gjyqtari Nexhmi Rexhepi është zgjedhur kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Zgjedhja e tij është bërë në seancën Administrative të mbajtur më 10 dhjetor 2024, nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 114 [Përbërja dhe Mandati i Gjykatës Kushtetuese] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Mandati i Kryetarit të zgjedhur të Gjykatës do të fillojë më 31 dhjetor 2024, pasi Kryetarja aktuale, znj. Gresa Caka-Nimani, të përfundojë mandatin 9-vjeçar të paraparë për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, sipas përcaktimeve të paragrafit 2 të nenit 114 [Përbërja dhe Mandati i Gjykatës Kushtetuese] të Kushtetutës.
Gjyqtari, Safet Hoxha, është zgjedhur Zëvendëskryetar i Gjykatës Kushtetuese, shkruan A2 CNN.
Kujtojmë se pozicioni i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese është një pozicion kyç, pasi kjo gjykatë është 'fjala e fundit' që vendos në mbrojtje të Kushtetutës së vendit. (A2 Televizion)