Ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Italisë në Kosovë u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta respektojnë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituim të Kuvendit, pasi nga bllokada vendi është duke humbur shumë mundësi.
Ato i janë referuar dispozitivit të 8 gushtit të Gjykatës Kushtetuese në të cilin është thënë se kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur brenda 30 ditëve, dhe që partia, e cila ka fituar më së shumti vota – të cilës i takon pozita e kryeparlamentarit – mund ta propozojë një kandidat deri në tri herë.
Ambasada e Italisë në Prishtinë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë në vendimin e saj.
“Të gjitha forcat politike duhet të pajtohen për ta zgjidhur ngërçin institucional për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, është thënë në përgjigje.
Ambasada amerikane në Prishtinë i ka thënë mediumit lokal në Kosovë, KOHA, se bllokimi i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën.
“Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tyre t’i përmbushin angazhimet për të punuar në interesin më të mirë të vendit. Ky bllokim i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që lidershipi të prioritizojë progresin dhe stabilitetin në dobi të qytetarëve”, është cituar të ketë thënë ambasada.
Seanca konstituive nuk mund të thirret pa u publikuar aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese./REL (A2 Televizion)