Serbia do të pranohet në Bashkimin Europian vetëm pasi të ketë njohur pavarësinë e Kosovës. Është ky qëndrimi i prerë i artikuluar nga raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, Tonino Picula.
Duke folur për median Jutarnji List, eurodeputeti kroat, që viziton Beogradin, shtoi më tej se gjithashtu është e nevojshme që të hiqet dorë nga e ashtëquajtura “Botë Serbe”.
“Politika e Vuçiçit për të akuzuar Kroacinë se qëndron pas revolucionit me ngjyra është përpjekja e tij e dëshpëruar për të fituar legjitimitet shtesë në publikun serb. Ai tani do të preferonte të shkaktonte trazira në veri të Kosovës, por ai i shpenzoi të gjitha kreditet e tij pas inkursionit të grupeve paraushtarake serbe në Banjskë gjatë vitit 2023, kur një oficer i policisë së Kosovës u vra. Shkaktimi i trazirave në Kosovë do të ishte shumë më i shtrenjtë për të sesa provokimi i Kroacisë”, tha Picula.
Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë akuzon Vuçiçin se po e përdor Brukselin vetëm si bankomat, duke marrë paratë dhe refuzuar njehsimin e politikave.
Picula shtoi se qytetarët serbë ekspozohen ndaj një narrative dhe propaganda që glorifikon raportet me Rusinë dhe Kinën dhe në anën tjetër domonizon perëndimin dhe BE-në. Sa i përket protestave shprehet i ftohtë dhe konfirmon se ende nuk është dëgjuar se çfarë mendimi kanë ata për procesin e anëtarësimit, për Kosovën apo për sanksionimin e Rusisë.
Parlamenti Europian pritet që në fillim të majit të miratojë progresraportin për Serbinë në dy vitet e fundit, dhe natyrisht që aty një ndër kushtet për anëtarësim pritet të jetë njohja e Kosovës. (A2 Televizion)