"Raporti i Prishtinës për Banjskën jo i duhuri", Andoni: Kosova do ketë probleme me atë që ka pranuar Kurti

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2023, 21:19 | Kosova

Analisti Ben Andoni në emisionin “Debat” nga Alba Alishani në A2CNN ka shprehur rezerva në lidhje me raportin që Kosova i paraqiti ndërkombëtarëve për sulmin terrorist serb në Banjskë.

Sipas Andonit, Kosova kishte tagrin e BE që në një moment historik të tregonte staturën e saj si shtet, por qasja ishte krejt e gabuar pasi Banjska po cilësohet tanimë si një incident i thjeshtë.

“Më çudit perspektiva serbe në këtë rast. Në dy vitet e fundit ka  një mungesë transparence të frikshme në Kosovë. Faktikisht të paktën nga media opozitare kam kuptuar se marrëveshja e re që po bëhet, dhe drafti është thuajse gati, duket që Serbia ka fituar kohë, ka arritur të humbi të gjithë perceptimin për Banjskën, në pjesën pozitive për të, ndërkohë që Kosova humbi narracionin për Banjskën. Në vend që ta kthente të gjiythë problemin në një favor, tashmë është në disfavor të saj. Raporti që është përgatitur nga Kosova lë shumë për të dëshiruar. Kosova duke pasur tagrin në këtë rast nga autoritetet e BE që të bënte një raport të tillë, kjo do i paraprinte dhe marrëdhënieve të saj ndërkombëtare në kuadër të dialogut. Raporte të tilla në kohë historike të caktuara tregojnë staturën e një shteti. Në këtë rast impakti ka treguar se Kosova lë shumë për të dëshiruar. Në të gjitha ballafaqimet që kanë pasur personalitetet e huaja me Kosovën. Banjska jo vetëm është përmendur në mënyrë shumë anësore, por tashmë quhet gati incident, ndërkohë që ajo e trembi Kosovën.”

Andoni më tej u ndal te marrëveshja që është diskutuar mes palëve në dialogun e ndërmjetësuar nga BE në Bruksel. Sipas analistit, fatkeqësisht Kosova do ketë probleme në të ardhmen nga marrëveshja për të cilën është pajtuar të firmosë kryeministri Kurti.

“Marrëveshja duket që është e disfavorshme për Kosovën, sepse zoti Kurti është rast ‘sui generis’ në politikën kosovare. Ai është mbi të gjithë në mendimet e tij. Ai do të kalojë të gjithë personalitetet politike të Kosovës deri tani dhe narracionin që ka pasur Kosova me ndërkombëtarët. Materiali i ri që po paraqet Kurti, por nuk është transparent, është në një nga momentet më historike të saj dhe tregon se normalisht zoti Kurti ka bërë një lloj pajtimi, nga i cili Kosova më vjen keq ta them por do ketë probleme në të ardhmen. Gjithmonë e më shumë serbët po mbahen te Rezoluta 1244 dhe faktori ndërkombëtar gjithmonë e më shumë po e sjell atë. Kosova me aktet që ka bërë ka prevaluar mbi Rezolutën 1244 dhe është një realitet krejt tjetër.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos