
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale në Kosovë, Nora Luta, duke komentuar në lidhje me gërmimet në Zubin-Potok ku dyshohet për një varrezë masive nga koha e luftës, u shpreh se rasti është ende në fazën e hetimeve. Ajo theksoi se bëhet fjalë për një proces të ndjeshëm hetimor për kërkimin e personave të zhdukur gjatë luftës, duke kërkuar nga mediat të shmangin raportimet e pakonfirmuara.
“Në lidhje me gërmimet që janë duke u zhvilluar në kuadër të procesit të kërkimit për personat e zhdukur, ajo çfarë mund t’ju them është se bëhet fjalë për një rast që është ende në fazën e hetimeve. Kjo është një proces i ndjeshëm dhe kompleks, është rezultat i një pune hetimore disavjeçare të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. Deri më tani janë bërë mbi 10 urdhra për zhvarrosje, krejt kjo në kuadër të këtyre veprimeve hetimore pra që janë ndërmarrë. Ajo çfarë mund të them gjithashtu dhe të theksoj është se nuk mund të flasim ende për rezultate pa përfunduar procesi hetimor”, u shpreh Luta.
E pyetur për raportimet lidhur me numrin e mbetjeve mortore që pretendohet se janë gjetur në lokacion, Luta tha se është ende herët për të konfirmuar shifra. (A2 Televizion)