
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje BE-së dhe SHBA-ve që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për deklasifikimin e dokumentacionit që lidhet me krimet e luftës në Kosovë.
Deklarata e Kurtit u bë në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut, ku po kryhen gërmime në një vend që dyshohet si varresë masive. Kurti thekson se deklasifikimi i dokumenteve që lidhen me krimet e luftës është e domosdoshme për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“I bëjmë thirrje edhe një herë ndërkombëtarëve, SHBA-së dhe BE-së, që këto dokumentacione të klasifikuara të deklasifikohen, të zbardhet e vërteta, në mënyrë që familjeve të mbi 1.500 personave të pagjetur t’u jepet fund ankthit dhe dhimbjes dhe të kenë mundësi t’i varrosin me dinjitet më të dashurit e tyre”, tha Kurti. (A2 Televizion)