
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç përshkallëzoi retorikën kundër kryeministrit në detyrë të Kosovës Albin Kurti dhe ndërkombëtarëve që, siç tha, po mbështesin terrorin kundër popullsisë serbe në veri.
Ai përdori gjuhë të ashpër teksa iu referua vendimit të mundshëm për rihapjen e urës mbi lumin Ibër për automjetet, duke i quajtur horra ata që po e lejojnë këtë. Vuciç paralajmëroi se do t’i shkruante menjëherë një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me çështjen.
"Çfarë horra janë këta, dhe ata që i mbështesin dhe hapin urën mbi Ibër janë të njëjtët horra dhe madje edhe më të mëdhenj. Kurti nuk do ta kishte bërë këtë nëse ata nga Perëndimi nuk do ta kishin lejuar. Po i dërgoj një letër Rutte-s sonte. Dhe çfarë mund të bëjmë për këtë? Po luftojmë sa më shumë që mundemi."
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç shtoi më tej se keqtrajtimi i serbëve në Kosovë është terror nga Albin Kurti dhe ndihmësit e tij perëndimorë, ndërsa ripërsëriti qëndrimin se pavarësisht presionit nuk do ta pranojnë kurrë pavarësinë e Kosovës.
"Ata po punojnë të gjithë së bashku. Kanë kaluar 18 vjet që kur e njohën pavarësinë, menduan se e kishin shkatërruar Jugosllavinë, kishin shkatërruar bashkimin e Malit të Zi dhe Serbisë, bënë gjithçka që Serbia ta pranonte pavarësinë. Serbia nuk e ka pranuar dhe nuk do ta pranojë atë."
Vuçiç akuzoi Prishtinën se po përdor arrestimet dhe presionin ndaj serbëve si mjet për të “shantazhuar” Serbinë dhe për ta detyruar të pranojë pavarësinë, me mbështetjen e Perëndimit. Ai paralajmëroi se, nëse mendojnë që do të dëbojnë serbët me traktorë, nuk do ta bëjnë dot. (A2 Televizion)