“Gënjeshtare patologjike”, Zveçla i përgjigjet ministres serbe: S’kam qenë fare në Dukagjin gjatë luftës

Nga A2 CNN
18 Korrik 2026, 18:13 | Kosova

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla e konsideroi ministren serbe Paunoviç një gënjeshtare patologjike, ndërsa hodhi poshtë disa nga akuzat e saj.

Në një lidhje Live për emisionin “Ditari i Fundjavës” nga Denisa Pasholli në A2CNN, Zveçla mohoi të ketë qenë në zonën e Dukagjinit gjatë luftës.

Reagimi i ministrit të Brendshëm vjen pas deklaratave tronditëse të ministres serbe, e cila tha se po të kishte qenë në vend të Millosheviçit do kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.

Realisht nuk kam qenë në zonën e Dukagjinit fare gjatë luftës, nuk ka të bëjë fare me atë se çfarë unë kam bërë. Si shumica e popullit shqiptar jam munduar që të kontribuoj për lirinë e vendit tim, dhe me aq sa kam bërë jam krenar. As ia vlen të merrem me kësi lloj gënjeshtrash. Për të çdo shqiptar është terrorist, e sidomos ata që e kundërshtojnë politikën shoviniste të Serbisë dhe qasjen e saj. Mua më vjen keq që ajo është ministre e vetëqeverisjes lokale, duke qenë se do ishte përgjegjëse për të drejtat, liritë, por edhe garancitë e nevojshme për shqiptarët në tri komunat, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, tha Zveçla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos