Sulmi ndaj kanalit të ujit në Zubin Potok, Sveçla: Goditje e dirigjuar nga Serbia, 8 persona në pranga, konfiskuam një arsenal armësh

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2024, 17:44 | Kosova

“Përgjegjës zyrtar për sulmin në kanalit të ujit në Zubin Potok është Beogradi.” Kështu ka deklaruar ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla në një konferencë emergjente për mediat pasditen e së shtunës.

Ministri deklaroi se kemi të bëjmë me një grup profesional të mirëorganizuar teksa shtoi gjithashtu se për rastin janë vënë në pranga tetë persona të dyshuar.

“Pas hetimeve intensive, sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona të dyshuar në stacion policor si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe AKI-në.”

Sveçla, sulmin e mbrëmshëm e cilësoi si më të rëndin të kryer ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës që nga përfundimi i luftës.

“Ky sulm terrorist nuk është vetëm një sulm i rëndomtë por është një sulm i organizuar nga grupe apo organizata që janë profesioniste në organizimin e sulmeve të tilla që janë terroriste. Synimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi në dëm të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj."

Ndërkohë, nga kontrollet e kryera, është sekuestruar një arsenal armësh, municione si dhe lëndë shpërthyese. 

Për goditjen e kanalit, siç u bë e ditur, është vendosur në një çantë të zezë të paktën 15-20 kg lëndë plasëse, që është aktivizuar me detonator mekanik. 

Emrat e të arrestuarve për këtë sulm policia nuk i ka bërë ende publikë me synimin për të mos kompromentuar hetimet. Drejtori i Policisë së Kosovës theksoi se operacionet do të vijojnë me qëllim zbulimin e të gjithë personave që janë përfshirë.

“Qytetarët nuk kanë pse qenë i frikësuar prej punës dhe operacioneve policore. Kërkojmë prej qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës,” shtoi ai.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos