
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, dhe kryetari i Këshillit të Preshevës, Enkel Rexhepi, kanë folur në “Ditarin e Pasdites nga Pandi Gjata” në A2 CNN , për takimin me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe çështjen e hapjes së një konsullate shqiptare në Bujanoc.
Sinani e ka cilësuar takimin me ministrin Hoxha si të rëndësishëm dhe konstruktiv, duke theksuar se hapja e konsullatës është një kërkesë e përsëritur e përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Ardita Sinani: Konsullata e Shqipërisë në Luginën e Preshevës për ne nuk do të ishte vetëm një zyrë konsullore, por do të ishte një prani konkrete institucionale dhe e përhershme e Shqipërisë në një hapësirë ku jetojnë mijëra shqiptarë, të cilët përballen me probleme të shumta që lidhen me pasivizimin, arsimin, mosnjohjen e diplomave, lëvizjen dhe përfaqësimin institucional.
Ndërkohë Rexhepi e cilësoi konsullatën si një institucion që do t’u shërbente shqiptarëve të Luginës dhe kërkoi që procedurat për hapjen e saj të nisin sa më shpejt.
Enkel Rexhepi: Ministri i Jashtëm është i gatshëm të ndërmarrë të gjitha hapat. Këtë na e bëri me dije edhe gjatë takimit dhe ishte i vendosur që të hapë konsullatën. Kjo është e domosdoshme dhe është pjesë historike që të hapet konsullata e Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës.
(A2 Televizion)