
Kosova parandaloi sulme të mundshme me sekuestrimin e armëve në veri. Këtë e konfirmoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një konference për shtyp, ndërsa vlerësoi aksionin e policisë që gjeti mbi 70 armë, mijëra municione dhe kamuflazh ushtarak serb në 12 lokacione të ndryshme.
“Në këto tre vitet e fundit kemi aksione të shumta policore të cilët praktikisht po marrin armë në duart e atyre që ose janë kriminel ose në rastin më të mirë janë potencialisht kriminelë. Sepse armatimi ilegal me tyta të gjata, me gjithë atë municion nuk është për hajr, është veç për sherr. Pra jo vetëm që kemi konfiskuar armatim te atyre që kanë bërë krime, por në të njëjtën kohë kemi konfiskuar edhe armatim duke parandaluar krime në vijim”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Sa i përket çështjes së hapjes së urës kryesore mbi Ibër, konfirmoi se do të ketë një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.
“Jemi në komunikim të përditshëm qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore. Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve as të tensioneve tregon që qarkullimi i njerëzve dhe i mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen e sigurinë”, vijoi Kurti.
Këto komente, Kurti i bëri në konferencën ku u njoftua projekti 37 milionë eurosh për banimin social. Plani përfshin 21 komuna dhe kryeministri në detyrë e prezantoi si një investim i rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, barazinë dhe sigurinë sociale. (A2 Televizion)