Konsullata shqiptare në Bujanoc, Pajaziti: Mund të hapej në shtator, zgjedhjet në Serbi e shtyjnë

Nga A2 CNN
25 Gusht 2026, 17:24 | Kosova

Duke folur për konsullatën e Shqipërisë në Bujanoc, kryetari ikomunës së Bujanocës, Arbër Pajaziti, tha se ajo mund të ishte hapur gjatë muajit shtator, por zgjedhjet e parakohshme në Serbi mund ta shtyjnë këtë proces.

I ftuar në “Ditari i Pasdites” me Pandi Gjatën, Pajaziti tha se çështja është diskutuar në takimin e fundit me ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxha, dhe se tashmë janë hedhur hapa konkretë për hapjen e saj.

“Besoj që konsullata do të kishte qenë tashmë e hapur gjatë muajit shtator, nëse nuk do të ishte ky problem që është paraqitur, domethënë tash që zgjedhjet do të jenë të parakohshme”, tha Pajaziti.

Sipas tij, zhvillimet politike në Serbi dhe pasiguria rreth datës së zgjedhjeve mund të ndikojnë në afatet e hapjes së konsullatës.

Pajaziti e vlerësoi hapjen e saj si të rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, pasi do të mundësonte më shumë bashkëpunim me Shqipërinë dhe do të lehtësonte realizimin e projekteve në arsim, kulturë dhe fusha të tjera.

Ai tha se Shqipëria ka rritur praninë e saj në Luginë gjatë viteve të fundit, ndërsa një konsullatë në Bujanoc do ta forconte më tej këtë bashkëpunim.

“Një nga problemet që i ka Shqipëria për të realizuar projekte këtu është edhe mënyra e financimit të këtyre iniciativave dhe projekteve që Serbia shpesh di të bëjë edhe pengesa”, u shpreh Pajaziti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos