Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së dytë kundër tij, për pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjykata Speciale tha se Thaçi u deklarua rreth fajësisë së tij në formë të shkruar më 6 janar, pasi nuk kishte pranuar të deklarohej para gjykatëses së procedurës paraprake në dhjetor.
“Ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, thuhet në njoftim.
Aktakuza e re kundër Thaçit dhe katër personave të tjerë, përfshirë ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, u konfirmua më 29 nëntor, ndërsa u bë publike më 7 dhjetor.
Thaçi, i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë kundër ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte. (A2 Televizion)