Arrestimi nga autoritetet serbe dhe ngritja e akuzës për vrasje të rëndë në Banjskë të Zveçanit, ndaj ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, ka vënë në lëvizje të gjithë aparatin shtetëror në Kosovë, teksa autoritetet thonë se po bëjnë çdo përpjekje për lirimin e tij.
Spahiu u arrestua më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, teksa po kthehej me autobus nga Austria në Kosovë së bashku me familjen e tij.
Gjykata e Lartë në Suboticë urdhëroi një muaj paraburgim për Spahiun me pretendimin se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” në fshatin Banjskë në veri të Kosovës. Kjo pavarësisht faktit se, sipas avokatit të Spahiut, Arianit Koci, ai ka tre vite që jeton në Gjermani, e nuk është më pjesë e Policisë së Kosovës.
Në një reagim në Facebook, kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, tha se prej momentit të arrestimit të Spahiut, institucionet e vendit janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë.
“Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet”, tha Kurti.
Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se po i ndjek me “vëmendje të shtuar” zhvillimet rreth arrestimit të Spahiut dhe se i ka njoftuar vendet e QUINT-it për këtë. Ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të shmangin kalimin përmes Serbisë, për shkak të "intensifikimit të rasteve të ndalimit dhe arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës".
Ndërkohë, për rastin e ish-policit të ndaluar në Serbi është angazhuar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. (A2 Televizion)