Tre njerëz janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur të dielën në Gjilan, derisa policia ka filluar kërkimet për tre të dyshuar që ndodhen në arrati, njoftuan autoritetet e sigurisë.
Sulmi ka ndodhur në rrugën “Ibrahim Rugova” rreth orës 12:30, njoftoi drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Agron Rukiqi.
“Njëri ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë kanë vdekur pasi janë dërguar në emergjencë për tretman të metejmë”, tha Rukiqi të dielën pasdite në një konferencë për media.
Një person po trajtohet në spital për plagë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër ka marrë plagë që nuk kanë të bëjnë me armë zjarri, tregoi ai.
Rukiqi tha se i dyshuari kryesor për kryerjen e vrasjes së trefishtë ka të kaluar kriminale dhe është i njohur për autoritetet e sigurisë, ndërsa në përgjithësi tre të dyshuar janë në kërkim pasi ndodhen në arrati.
“Ai ka pesë raste për sulm, ka raste për prishje të rendit publik, mashtrim, fadje, kërcënim, shantazh dhe pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, tha ai.
“Policia ka arritue të sigurojë prova të mjaftueshme që tre persona e përfshirë në rastin e vrasjes e kanë kryer këtë akt”, tha shtoi ai.
Më herët, Policia e Kosovës tha se është në kërkim të tre të dyshuarve për këtë rast, Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra, të cilëve ua publikoi edhe fotografitë dhe u kërkoi ndihmë dhe bashkëpunim qytetarëve për t'i kapur ata.
Rukiqi theksoi se një person është arrestuar në vendngjarje për të parë nëse ka të bëjë me rastin.
Nuk është e qartë se cilat kanë mundur të jenë motivet e kësaj vrasjeje, dhe prokurori që po heton rastin, Isuf Sadiku, tha se është herët të flitet për motivet.
“Është ende herët të dalim me ndonjë qëndrim. Fillimisht, në ditët në vijim, do merren në pyetje viktimat apo të dëmtuarit, nëse ata na japim ndonjë sinajl apo ndonjë verzion të tyre, atëherë edhe ne mund ta kemi të qartë nëse ka ndonjë motiv apo rasti ka ndodhur aty për aty”, tha Sadiku në konferencë për media.
Sadiku tha se, meqë të dyshuarit kanë qenë të njohur për organet e sigurisë, autoritetet kanë kryer disa kontrolle, “por të dyshuarit nuk janë gjetur në ato vende”.
Rukiqi tha se autoritetet i kanë njoftuar edhe vendet rajonale në lidhje me të dyshuarit në arrati, pasi ka dyshime se ata mund të ikin jashtë vendit.
Rajoni i Gjilanit gjendet në juglindje të Kosovës dhe në verilindje kufizohet me Serbinë, ndërda në juglindje me Maqedoninë e Veriut./REL (A2 Televizion)