“Popoviç e pranoi fajësinë nën presion”, Serbia: Vendimi nuk u morr me vullnetin e tij të lirë

Nga A2 CNN
9 Gusht 2025, 16:34 | Kronikë

Igor Popoviç, zv.drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, e pranoi nën presion dhe jo me vullnetin e tij të lirë, marrëveshjen me prokurorët e Kosovës për të pranuar fajësinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

Kështu u shpreh ministria e drejtësisë në serbi të shtunën. “Ne theksojmë se nënshkrimi dhe përdorimi i marrëveshjeve për pranimin e fajësisë në një rast të tillë shërben ekskluzivisht si një mjet për stigmatizim shtesë të popullit serb dhe forcimin e kontrollit politik, dhe jo si një instrument i sundimit të ligjit”, tha Ministria serbe në deklaratë.

Ajo nuk dha asnjë provë për të mbështetur pretendimin se Popoviç e pranoi fajësinë nën presion. Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të premten Popoviçin me gjashtë muaj burgim, dënim që iu zëvendësua me një gjobë prej 3.000 eurosh, si dhe ia ndaloi hyrjen në Kosovë për dy vjet.

Popoviç arriti marrëveshje me Prokurorinë Speciale të Kosovës për pranimin e fajësisë për nxitje dhe përhapje të urrejtje dhe mosdurimit mes grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit më 18 korrik. Gjatë atij fjalimi, Popoviç, ndër të tjera, e kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.

Vetë Popoviç e pranoi të premten para gjykatësit disa herë se qëndron prapa marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe se marrëveshjen e kishte nënshkruar pa asnjë lloj presioni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos