Dogana e Kosovës ka realizuar një sërë kontrollesh të përbashkëta në pika të ndryshme kufitare të vendit, të cilat kanë rezultuar me zbulimin e disa rasteve të shkeljeve doganore dhe veprimtarive të paligjshme.
Sipas Doganës, në Pikën Kufitare Hani i Elezit, gjatë kontrollit të një mjeti transporti ndërkombëtar që po kalonte në transit zyrtarët doganorë kanë zbuluar rreth 180 kilogramë material tekstili të padeklaruar për doganë.
Ndërsa, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, gjatë kontrolleve rutinore të bagazheve të udhëtarëve, zyrtarët doganorë kanë zbuluar dy orë dore të markës “Rolex”, të cilat nuk ishin deklaruar në përputhje me rregullat doganore. Mallrat janë ndaluar për verifikim, ndërsa janë iniciuar procedurat kundërvajtëse sipas Ligjit Nr. 08/L-247 për Kodin Doganor dhe të Akcizave të Kosovës.
Në Vërmicë janë zbuluar substanca narkotike. Gjatë një kontrolli të përbashkët me Policinë Kufitare, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një shtetas të huaj, tek i cili është gjetur një sasi prej 11.1 gramë substancë e dyshuar narkotike, e fshehur në xhaketë. Personi është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë kompetente, ndërsa njësitet hetimore dhe K9 kanë asistuar në kontrollin e automjetit.
Në një rast tjetër, gjatë kontrollit të një automjeti në hyrje të Kosovës, janë gjetur afër 100 palë këpucë të padeklaruara, për të cilat udhëtari nuk posedonte dokumentacion përkatës. Për këtë rast është iniciuar procedurë kundërvajtëse ndërsa mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore, njofton dogana e Kosovës.
“Municion dhe substancë narkotike: Gjatë kontrollit në vijën e dytë në Pikën Kufitare Vërmicë–Morinë, është zbuluar një kuti që përmbante 50 fishekë të kalibrit 9 mm, të fshehur nën gomën rezervë të automjetit, si dhe një cigare e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë (0.58 gramë). Municioni dhe substanca janë konfiskuar, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejme nga autoritetet kompetente”, thuhet në njoftim. (A2 Televizion)