Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme municioni, armë dhe pajisje ilegale gjatë një bastisjeje të kryer në një shtëpi në fshatin Mekinicë të Leposaviqit ketë të mërkurë.
Aksioni i policisë u iniciua nga një raportim për kanosje nga një grua ndaj bashkëshortit të saj.
Sipas njoftimit zyrtar, qytetarja ka raportuar rastin në stacionin policor tw Mitrovicës sw Veriut, duke deklaruar se bashkëshorti i saj e kishte kanosur dhe posedonte armë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me të dyshuarin, i cili ka pranuar se posedon armë zjarri.
Hetimet zbuluan gjithashtu se ndaj të dyshuarit S.T. (49 vjeç) ishte në fuqi një urdhër mbrojtës i lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, aktiv nga data 15.10.2024 deri më 15.10.2025, lidhur me një rast të mëparshëm.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj S.T. është iniciuar procedurë hetimore për veprat penale “kanosje", "mospërfillje e urdhrit të gjykatës", dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve" dhe ai është ndaluar për 48 orë.
Gjatë bastisjes, prindi i të dyshuarit, N.T. (70 vjeç), ka deklaruar se njëra prej armëve AK-47, pushka ajrore, bajoneta dhe disa prej uniformave janë të tij. Prokurori ka urdhëruar procedimin e tij për "Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve", ndërsa i njëjti është liruar pas intervistimit.
Gjatë kontrollit në shtëpi, policia ka gjetur dhe konfiskuar:
· 3 pushkë automatike AK-47
· 1 pushkë ajrore
· 1 revole
· 1 shkrepës në formë revoljeje
· 55 fishekë
· 1 bajonetë
· 2 thika
· 5 karikatorë për armë AK-47
· 1 karikator për revole
· 1 këllëf për revole
· 1 xhaketë ushtarake
· 2 këmisha të policisë së Serbisë (A2 Televizion)