Dyshohet se spiunonte për Serbinë, arrestohet analisti në Kosovë

Nga A2 CNN
9 Tetor 2025, 10:58 | Kronikë

Dyshohet se spiunonte për Serbinë, arrestohet analisti në

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës dhe Prokurorinë Speciale, ka finalizuar pas disa muajsh hetime një operacion që ka çuar në pranga analistin politik Fatmir Sheholli, nën dyshimet e bazuara për përfshirje në veprimtari spiunazhi.

Lajmin e ka konfirmuar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka theksuar se ky rast përbën një ndër aktet më serioze kundër sigurisë kombëtare dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh. Individë si ky, që kanë pasur hapësira të pakufizuara në mediat tona, kanë bashkëpunuar me akterë që punojnë çdo ditë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”, ka shkruar Sveçla në rrjetet sociale.

Ai ka shtuar se autoritetet janë të vendosura të mbrojnë vendin nga çfarëdo rreziku që vjen nga bashkëpunimi me shërbime të huaja. “Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, ka theksuar ministri.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka njoftuar përmes një komunikate zyrtare se arrestimi i Shehollit është bërë pas një hetimi të gjatë disa mujor. “Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale ‘Spiunazh’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Fatmir Sheholli është njohur si analist politik dhe ka qenë shpesh i pranishëm në debatet televizive në Kosovë. Ai është drejtues i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovë dhe në të kaluarën ka deklaruar publikisht se ka punuar për Shërbimin e Sigurimit të Serbisë (UDB), ndërsa pas luftës ka qenë i angazhuar edhe në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK).

Po ashtu, ai ka qenë i ftuar për dëshmi edhe nga Gjykata Speciale në Hagë. Hetimet për këtë rast janë ende në zhvillim e sipër, ndërsa autoritetet paralajmërojnë tolerancë zero ndaj çdo akti që cenon sigurinë e Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos