Policia e Kosovës bastis objektin e KRU "Gjakova" dhe shtëpinë e kryeshefit të kompanisë

Nga A2 CNN
29 Shtator 2025, 17:51 | Kronikë

Policia e Kosovës bastis objektin e KRU "Gjakova" dhe

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur të hënën se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka kryer kontrolle në objektin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” dhe në shtëpinë e kryeshefit ekzekutiv të kompanisë.

Mediat lokale në Kosovë raportojnë se bëhet fjalë për Hasan Krasniqin.

Autoritetet kanë thënë se dyshojnë të jenë kryer vepra penale sikurse keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, falsifikimi i dokumentit zyrtar, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore, konflikt i interesit, si dhe keqpërdorim dhe mashtrim në prokurorim publik.

Ato, gjithashtu, kanë bërë të ditur se gjatë operacionit policor janë sekuestruar prova materiale, që do të shërbejnë si prova për rastin.

Në statutin e kësaj kompanie është e përcaktuar se, mes tjerash, ajo ka për obligim shërbimin e furnizimit me ujë, mirëmbajtjen e sistemit të furnizimit me ujë, prodhimin dhe blerjen e ujit për plotësimin e kërkesës së konsumatorëve, mirëmbajtjen e sistemeve të ujërave të zeza dhe impianteve të tyre, dhe që mund realizojë çdo lloj operacioni financiar apo tregtar, i cili lidhet direkt apo indirekt me objektin e saj, brenda kufijve të parashikuar nga legjislacioni në fuqi.

Policia e ka ndaluar të dyshuarin Hasan Krasniqin edhe në mars të këtij viti për 48 orë, nën dyshimet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe i ka sekuestruar një laptop, telefon, si dhe mijëra euro.

Ai ishte arrestuar edhe në shkurt të vitit 2024 në një pikëkalim kufitar në perëndim të Bullgarisë, mirëpo nuk është e qartë se mbi çfarë akuzash apo dyshimesh ishte arrestuar ai atëbotë./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos