
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Poterq të Klinës, ku një person dyshohet se ka sulmuar motrën dhe nënën e tij. Si pasojë e plagëve të marra, motra ka ndërruar jetë në QKUK.
Rasti ka ndodhur më 6 shtator. Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari, i cili ka probleme të shëndetit mendor, fillimisht dyshohet se i ka vënë flakën shtratit ku ndodhej motra e tij.
Më pas, ai dyshohet se ka shkuar në një dhomë tjetër dhe ka sulmuar nënën e tij me një mjet të fortë.
Të dyja gratë kanë marrë lëndime të rënda dhe fillimisht janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës. Për shkak të gjendjes së tyre, ato më pas janë transferuar për trajtim në QKUK në Prishtinë.
Sot, më 7 shtator, Policia është njoftuar se vajza nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra nga zjarri dhe ka ndërruar jetë. Vdekjen e saj e ka konfirmuar ekipi mjekësor.
(A2 Televizion)
