Institucionet e Kosovës bënë të ditur se ka përfunduar gërmimi në tri lokacione në zonën e Kalludrës dhe Jabukës në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se mund të lidhen me fatin e 23 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të njohur si “Grupi i intelektualëve”.
Deri tani, të paktën 10 mbetje kockore janë dërguar në laboratorin e ADN-së në Hagë, ndërsa identifikimi përfundimtar pritet të bëhet pas përfundimit të të gjitha ekzaminimeve mjekoligjore dhe analizave të ADN-së. Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se familjarët tashmë janë më afër së vërtetës dhe drejtësisë, por kërkoi durim deri në përfundimin e të gjitha procedurave.
“Janë familjarët e 23 personave të zhdukur apo grupit të çka quhet grupi i intelektualëve apo grupi Ademi Ademit". Dhe sot pak e ndjej, sepse jam vetë familjar, që është një ditë shumë e rëndë për ta. Por unë nuk di t'ju drejtohem juve, por atyre që duhet të gjejnë forcën, sepse së paku janë shumë më afër të vërtetës sot sesa që kanë qenë më herët. Por edhe më afër të drejtës, të drejtësisë. Ju e dini që deri më tash janë arrestuar katër potencialisht kriminelë serbë që kanë marrë pjesë në ato krime këtu. Uroj që të gjejnë forcën që të përballojnë këtë dhimbje. E dimë që ka edhe mbi 1500 familje që vazhdojnë me pritë fatin e më të dashurve të tyre, këtu përfshirë edhe mua personalisht.
Familjarët e 23 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të njohur si “Grupi i intelektualëve”, kanë vizituar lokacionin në zonën e Kalludrës, në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin të afërmve të tyre. Sadete Ujkani Gërxhaliu, motra e vëllezërve Ujkani, tha se tash familjarët kanë të paktën një vend ku mund të vendosin lule.
“Është një lehtësim, falënderojmë institucionet, falënderojmë Policinë e Kosovës, ju falënderojmë juve. Së paku e kemi një lehtësim që t’ua gjejmë varrin, që të shkojmë dhe t’i vendosim lulet. Është një mërzi e rëndë, kështu qenka shkruar për ne”, tha Ujkani.
Ndërsa, Flaka Fazliu, vajza e doktorit Fahri Fazliu, tha se familjarët ende janë në pritje të procedurave tjera.
“Mund të them që ende jemi duke e procesuar lajmin, sepse është një periudhë mjaft e gjatë që kemi qenë në pritje. Akoma takimi po duket abstrakt, po presim. Mund të them se njëkohësisht e kemi përjetuar dhimbjen edhe tash jemi në pritje të procedurave të tjera, por njëkohësisht është respekt për këta të cilët i kemi humbur, të cilëve u është gjetur trupi dhe do t’iu jepet një vend ku do të vendosen në tokën e tyre”, tha Fazliu.
Kryetarja e Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Gjyla Haziri, tha se vizita e familjarëve në lokacion ishte organizuar në mënyrë që ata të merrnin informacione drejtpërdrejt nga institucionet. (A2 Televizion)