Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar të premten aktakuzën ndaj 35 personave për krime lufte kundër popullsisë civile, lidhur me sulmin e forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se kjo është aktakuza e parë që lidhet me vrasjen e civilëve të familjes Jashari në Prekaz, shkruan A2.
“Sot, Prokuroria Speciale ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në përmbushjen e mandatit të saj ligjor, duke dorëzuar aktakuzën në një çështje me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë, për opinionin publik, e që lidhet me vrasjen e civilëve shqiptarë në familjen Jasharaj në Prekaz të Skenderajt. Kjo aktakuzë është rezultat i një pune të kujdesshme, profesionale dhe të bazuar në prova, në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore që ka Prokuroria Speciale. Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë edhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në familjen Jasharaj në Prekaz”, tha Isufaj.
Ai u shpreh se tashmë i takon gjykatës ta vlerësojë aktakuzën dhe provat e paraqitura: “Tani është në kompetencën e gjykatës që të vlerësojë aktakuzën dhe provat e paraqitura në përputhje me ligjin dhe standardet e një gjykimi të drejtë. Por si Prokurori Speciale, jemi të bindur se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar, me qëllim që pretendimet e ngritura në aktakuzë të provohen para gjykatës. Rëndësia e kësaj aktakuze qëndron edhe në faktin se ajo dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm për të trajtuar krimet e luftës dhe për të kërkuar përgjegjësi penale, pavarësisht kompleksitetit të këtyre rasteve dhe kohës së kaluar nga kryerja e këtyre rasteve. Sikurse rastin e krimeve të luftës në Zubin Potok, ku tashmë është arrestuar edhe i dyshuari i katërt në këtë rast, unë për shkak se bëhet fjalë për një hetim në vazhdim nuk mund të flas apo të komentoj për detajet e këtij hetimi. I njëjti parim vlen për çdo rast tjetër që është në fazën e hetimeve. Megjithatë, ajo çfarë mund t'ju them qytetarëve është se Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, zhvillimit të hetimeve në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të paanshme, si dhe ndjekjes penale të të gjithë personave për të cilët ekziston bazë ligjore dhe ka prova të mjaftueshme. Gjatë javëve të fundit gjithashtu është dorëzuar edhe një aktakuzë e rëndësishme për spiunazh, si dhe është arrestuar edhe një person i dyshuar për natyrë të tillë të veprës penale”.
Ndërkaq, prokurori Valdet Gashi bëri të ditur se aktakuza për ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 përfshin 35 persona. Sipas tij, të akuzuarit mbanin pozita të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe.
“Natyrisht se ky ka qenë një rast shumë kompleks dhe sfidues për hetimin. Mirëpo, falë një pune intensive të Prokurorisë Speciale dhe stafit të saj, dhe bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të vendit, ne kemi arritur në këtë fazë ku jemi pra, me ngritjen e aktakuzës, e cila tani më është në gjykatë. Bazuar në provat e siguruara, kemi arritur që të vërtetojmë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë kanë kryer veprën penale "Krimet e luftës kundër popullsisë civile", si rezultat i veprimeve të tyre në ngjarjen e datave 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në fshatin Prekaz i Poshtëm, më konkretisht në lagjen Jashari. Si rezultat i hetimit, bazuar në provat materiale dhe personale, kemi arritur t'i identifikojmë 35 të pandehur në këtë rast, të cilët i përkasin pozitave të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe”, tha Gashi.
Gashi shtoi se gjatë hetimeve është përcaktuar se cilat njësi të forcave serbe kanë marrë pjesë në sulm, pozicionet e tyre, aktivitetet e të pandehurve dhe arsenali i përdorur. Ai bëri të ditur se aktakuza është ngritur në mungesë, pasi, sipas tij, Prokuroria Speciale ka shteruar mundësitë për sigurimin e të pandehurve në procedurë.
Në Prekaz, në datat 5,6 dhe 7 forcat serbe i vranë 56 anëtarë të familjes së gjerë Jashari, shumica gra, fëmijë e pleq. Aty ranë edhe komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, me babain Shabanin e vëllanë, Hamzë, që rezistuan për tri ditë. (A2 Televizion)