Tragjedi në Malishevë, çifti bashkëshortor u gjet i plagosur në dhomën e gjumit, gruaja shtatzënë humb jetën

Nga A2 CNN
24 Gusht 2026, 08:40 | Kronikë

Tragjedi në Malishevë, çifti bashkëshortor u gjet i

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një çift bashkëshortor është plagosur nga të shtënat me armë zjarri.

Si pasojë e plagëve, gruaja ka humbur jetën, ndërsa bashkëshorti i saj është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi e cila deklaroi se njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi kanë gjetur dy persona të plagosur, një burrë dhe bashkëshortja e tij.

“Me datë 23.08.2026  rreth orës 23:20, jemi njoftuar për një rast të plagosjes me armë zjarri në fshatin Kërvasari-Malishevë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi janë gjetur dy persona, një çift bashkëshortor, të plagosur nga arma e zjarrit. Të plagosurve u është ofruar ndihma e parë mjekësore dhe më pas janë dërguar për trajtim  në QKUK”, ka thënë ajo.

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

Rreth orës 01:10, Policia është njoftuar nga QKUK-ja se gruaja, e moshës madhore, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Sipas të dhënave të deritanishme, ajo ishte shtatzënë.

“Nga QKUK jemi njoftuar se viktima femër, e moshës madhore, ka ndërruar jetë”, tha ajo

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit, me vendimin e të cilit rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.

Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, përfshirë motivin dhe mënyrën se si ka ndodhur incidenti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos