
Një person mashkull me inicialet M.V., për të cilin Policia e Kosovës njoftoi më 3 nëntor se kishte marrë informacione se ishte plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria e Serbisë në territorin e Leposaviqit, thuhet se punonte në Byronë Kosovare të Sigurimit në vendkalimin kufitar Jarinje, në veri të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë konfirmoi nga disa burime se bëhet fjalë për Millan Vukashinoviqin nga Leposaviqi - një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Fillimisht, edhe avokati serb, Ivan Niniq, shkroi në rrjetin social X se Millan Vukashinoviq ishte plagosur rëndë në një shkëmbim zjarri në fshatin Jellakcë pranë Leposaviqit dhe se mjekët po luftojnë për jetën e tij në Qendrën Klinike Universitare në Nish.
Ky fshat ndodhet në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, pranë kufirit me Serbinë.
Niniq, avokat i familjes Vukashinoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se, sipas informatave dhe burimeve të tij, në këtë incident kanë marrë pjesë pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë në uniforma kamuflazh, pa shenja identifikimi.
Ndërsa Kosova e akuzoi Serbinë për shkelje serioze të sigurisë së kufijve dhe paqes, Beogradi zyrtar nuk reagoi për këtë incident.
Për shkak të heshtjes së organeve serbe, avokati Niniq dyshon se plani ishte që rasti i Vukashinoviqit “të fshihej”.
Çfarë ndodhi më 1 nëntor?
Avokati Niniq thotë se të shtunën, më 1 nëntor, Dragana Vukashinoviq, nëna e Millan Vukashinoviqit, e kontaktoi atë, duke i kërkuar që ta përfaqësonte, sepse djali i saj kishte shkuar në pikën kufitare me Serbinë atë ditë, për të parë një mik nga Llukovska Banja në Serbi dhe nuk ishte kthyer në shtëpi.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturin kalim alternativ me Serbinë - kalime zyrtarisht të paregjistruara midis Serbisë dhe Kosovës - në fshatin Jellackë.
Sipas Niniqit, Vukashinoviq më pas e ka kontaktuar nënën nga një autoambulancë, duke i thënë se ishte plagosur, por se nuk mund t'i tregonte asgjë më shumë.
Niniq thotë se të hënën, me miratimin e nënës së Vukashinoviqit, ai vendosi të fliste publikisht për këtë rast, sepse autoritetet serbe nuk kishin reaguar dhe se si avokat nuk kishte asnjë institucion me të cilin mund të komunikonte.
Ai shton se “përmes kanaleve dhe metodologjisë së tij të punës” ka përcaktuar se Millan Vukashinoviq është qëlluar me armë zjarri në zonën tokësore të sigurisë, por se nuk mund të specifikojë nëse në anën serbe apo të Kosovës.
“Mund të them vetëm se ai u transportua në spitalin në Prokuple, se në atë aksion morën pjesë tre xhipa pa targa, se më vonë u përcaktua se këto automjete - me shumë mundësi - i përkisnin Armatës së Tretë të Ushtrisë së Serbisë, se automjeti i katërt kishte targa, se personat që morën pjesë në të gjithë aksionin, ishin me uniforma kamuflazh të zeza dhe jeshile të errëta, se nuk kishin shenja të ushtrisë ose xhandarmërisë dhe se kishin maska në kokë”, thotë Niniq.
Ai thekson se personat që përmend, janë vërejtur edhe nga qytetarët në Prokuple, si dhe nga punonjësit e spitalit të Prokuples, të cilët, sipas Niniqit, ishin të parët që e morën nën kujdes Vukashinoviqin.
Në çfarë gjendjeje është Vukashinoviq?
Avokati Niniq thotë se gjatë transportit drejt spitalit në Nish, Millan Vukashinoviq ka humbur shumë gjak, i është hequr një veshkë, i është nxjerrë gjak nga mushkëritë dhe i është hequr diafragma pulmonare.
Aktualisht, ai ndodhet në dhomën e kujdesit intensiv dhe ende nuk dihet nëse do të mbijetojë.
Nëna dhe motra e tij nuk lejohen ta vizitojnë fizikisht, por mund të marrin informacione përmes telefonit ose mjekëve në spital, sipas Niniqit.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi spitalin në Nish për këtë rast, por nuk mori përgjigje.
Niniq thotë se, si avokat i familjes Vukashinoviq, është i shqetësuar që autoritetet serbe nuk kanë dalë me asnjë reagim dhe se ende nuk e di nëse dyshohet për ndonjë vepër penale, nëse është lënë në paraburgim apo cila prokurori po e trajton rastin.
“Nuk dihet nëse është kryer ndonjë hetim në vendngjarje nga Prokuroria e Lartë Publike në Prokuple, kush ka marrë pjesë në aksion, cili ka qenë qëllimi i aksionit, nëse aksioni është pasojë e ndonjë vendimi nga autoritetet shtetërore apo nëse kanë marrë pjesë palë të treta të paautorizuara... Ka shumë pyetje dhe ne do të këmbëngulim për përgjigje. Si avokat, nuk kam një institucion të cilit mund t’i drejtohem dhe më të cilin mund të komunikoj”, thotë Niniq për Radion Evropa e Lirë.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe Zyrën e Prokurorit të Lartë Publik në Prokuple dhe është në pritje të përgjigjes.
Niniq thotë se familja është e gatshme të padisë Republikën e Serbisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe të kërkojë përgjegjësi individuale.
Motivet e mundshme
Niniq thotë se ende nuk i di motivet për plagosjen e Vukashinoviqit.
Ai thotë se ka informacione se Vukashinoviq ishte në konflikt me përfaqësuesit e Listës Serbe - partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit - sepse nuk donte t’u “bindej” politikave të tyre.
“Nuk mund të them se ky rast ka prapavijë politike, por mund të them se personi nga Llukovska Banja, me të cilin Millani kishte marrëdhënie miqësore dhe me të cilin ishte planifikuar të takohej, është pjesëtar aktiv i Ushtrisë së Serbisë. Dyshoj se bëhet fjalë për një operacion shumë më të gjerë, në të cilin Millani është joshur”, thotë Niniq.
Lista Serbe nuk u deklarua për plagosjen e Vukashinoviqit.
Serbia, më herët, ka akuzuar pjesëtarë të komunitetit serb për spiunazh në dobi të organeve të sigurisë së Kosovës, ndërsa para organeve të drejtësisë në Kosovë janë duke u zhvilluar disa procese për dyshime për spiunazh në favor të Agjencisë Serbe të Inteligjencës.
Kush është Millan Vukashinoviq?
Millan Vukashinoviq ka punuar në Byronë Kosovare të Sigurimit që nga viti 2011, konfirmon për Radion Evropa e Lirë ish-shefi i kësaj byroje, Rrahim Pacolli.
Avokati Niniq thotë, gjithashtu, se ka informacione se Vukashinoviq ka punuar në një kompani sigurimesh në një nga pikat kufitare të Kosovës me Serbinë.
Pacolli shton se Vukashinoviq ka pasur probleme edhe më parë, se ka vuajtur presion, por se nuk e ka lënë kurrë punën.
Radio Evropa e Lirë, përmes mjeteve forenzike për njohjen e fytyrës, konstatoi se Vukashinoviq është i njëjti person që më 28 qershor të këtij viti kishte folur publikisht për presionet që po përjetonte, në një bisedë me gazetarin dhe ish-deputetin e Kuvendit të Serbisë, Nemanja Sharoviq, për televizionin KTV nga Serbia.
Për identifikim, Radio Evropa e Lirë përdori mjetet PimEye dhe MX Face, të cilat prej disa vitesh, përmes programeve të inteligjencës artificiale, mundësojnë lidhjen e saktë të fytyrave nga fotografitë.
MF Face tregon se fotografia e Millan Vukashinoviqit, të cilën në rrjetin X e publikoi avokati i familjes së tij, Ivan Niniq, dhe fotografia e personit që jep deklaratë në emisionin “Reč naroda (Fjala e popullit)” në qershor të këtij viti, përputhen.
Përveç me Vukashinoviqin, Sharoviq atë ditë kishte zhvilluar biseda edhe me disa serbë të tjerë në Gazimestan, afër Prishtinës - vend ku çdo vit mblidhen serbë nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit për të festuar Vidovdanin dhe për të shënuar përvjetorin e Betejës së Kosovës.
Çfarë tha Vukashinoviq më 28 qershor?
Millan Vukashinoviq tha në atë kohë se serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, pas presionit të Listës Serbe.
Ai pretendoi se, personalisht, ka vuajtur presion dhe se nuk ndihej i sigurt të shkonte në Serbi, sepse nuk donte të jepte dorëheqje.
“Ata shpikën lloj-lloj historish për mua, më lidhën me shqiptarët, nuk jam i sigurt të udhëtoj në Serbi. Jam vetëm këtu në Kosovë. E anashkaloj Serbinë”, tha ai, ndër të tjera.
Kur u pyet për sulmin nga një grup i armatosur serbësh në Banjskë - pjesa veriore e Kosovës - në shtator të vitit 2023, Vukashinoviq tha se “djemtë u shfrytëzuan”.
“Tani, shumë prej tyre nuk mund të vijnë në shtëpitë e tyre”, tha ai.
Një polic i Kosovës u vra në këtë sulm, ndërsa në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Zyra e Prokurorit të Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 individëve, nga të cilët vetëm tre janë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore, ndërsa pjesa tjetër është në arrati.
Përgjegjësinë për sulmin e mori publikisht biznesmeni dhe politikani nga Kosova, Millan Radoiçiq, i cili që atëherë besohet se ndodhet në Serbi.
Fyerjet në grupet e Telegramit
Në fund të qershorit, një deklaratë e Vukashinoviqit nga Gazimestani u botua në kanalin e Telegramit “Koridor”, me përshkrimin se bëhet fjalë për “një spiun shqiptar, të cilit iu ofrua punë në një nga institucionet serbe, por ai donte të qëndronte dhe të punonte për institucionet shqiptare, sepse, përveç pagës, merr edhe bonus për spiunazh”.
Kanali “Koridor”, përndryshe, është përdorur më herët nga “Brigada e Veriut”, e cila bashkë me “Mbrojtjen Civile” janë shpallur organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës, në qershor të vitit 2023.
Në atë kohë, ky kanal deklaroi se kjo nuk do t’i pengonte ata që të luftonin “për serbizëm dhe unitet”, por se, për arsye sigurie, ata nuk do ta informonin më publikun për lëvizjet e tyre.
Kosova akuzon Beogradin, Serbia hesht
Autoritetet serbe nuk kanë komentuar ende për rastin.
Radio Evropa e Lirë u dërgoi pyetje Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes në Serbi në lidhje me rastin, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Nga ana tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se bota demokratike duhet të reagojë dhe t’i ndalojë “sulmet” e Serbisë që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin.
Osmani tha se rasti është një tjetër provë e “qasjes hegjemonike” të Serbisë.
“Çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të [presidentit serb, Aleksandar] Vuçiq, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme”, shkroi Osmani në Facebook.
Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se ky veprim është pjesë e politikës së Serbisë, bazuar në frikësimin dhe persekutimin e qytetarëve që nuk i binden regjimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë”, shkroi Sveçla në Facebook dhe i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të reagojë ndaj Serbisë dhe që këto veprime armiqësore të mos përsëriten.
Çfarë thotë Policia e Kosovës?
Policia thotë se ka intervistuar dëshmitarë okularë dhe se ka marrë informacione prej tyre se “persona të maskuar kanë hyrë në territorin e Kosovës, kanë plagosur dhe rrëmbyer viktimën, dhe më pas e kanë çuar në territorin e Serbisë”.
Viktima, e identifikuar me inicialet M.V., sipas dëshmitarëve, është transportuar me autoambulancë në qytetin e Nishit në Serbi.
Dyshohet se vendi i ngjarjes ndodhet në territorin e Kosovës, përkatësisht brenda zonës së quajtur “pika zero”, pranë zonës së Leposaviqit.
Policia e Kosovës nuk iu përgjigj konkretisht pyetjes së Radios Evropa e Lirë se si është e mundur që anëtarët e Xhandarmërisë serbe të hynin në territorin e Kosovës pa dijeninë e saj, por ajo vetëm deklaroi se ishte “pika zero”.
Policia tha se po bashkëpunon me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili është përgjegjës për zonën kufitare.
KFOR-i i tha Radios Evropa e Lirë se është në dijeni të një raporti nga Policia e Kosovës, se Xhandarmëria serbe dyshohet se ka plagosur dhe rrëmbyer një serb të Kosovës, duke shtuar se situata e sigurisë në kufi është e qetë.
“Policia e Kosovës ka nisur hetime dhe vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me disa entitete, përfshirë KFOR-in. Policia e Kosovës e ka koordinuar aktivitetin e vet në anën kosovare të vijës kufitare administrative me KFOR-in”, thuhet në përgjigjen e këtij misioni.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe Zyrën e Prokurorit Themelor në Mitrovicë për më shumë detaje, por nuk mori përgjigje. (A2 Televizion)
