Gjyqi për Masakrën e Mejës, 53 të akuzuarit në arrati, prokurori tregon krimet makabre

Nga A2 CNN
16 Qershor 2025, 20:54 | Kronikë

Gjykata Themelore e Prishtinës mbajti seancën e shqyrtimit fillestar kundër 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës. Ata nuk ishin prezentë pasi janë në arrati dhe në kërkim ndërkombëtar, ndërsa u mbrojtën nga avokatët e tyre.

I dyshuari kryesor është Momir Stojanoviç, ish shef i departamentit për siguri në komandën e korpusit të Prishtinës, njëkohësisht dhe ish drejtoj i Agjencisë Ushtarake dhe të Sigurimit të Serbisë. Prokurori Ilir Morina kërkoi gjykimin në mungesë pasi janë ezauruar të gjitha përpjekjet ligjore për sigurimin e prezencës së të akuzuarve.

Gjyqtarja e rastit, Violeta Nimani, E pranoi këtë kërkesë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës forcat policore dhe ushtarake serbe, duke vepruar nën komandën e të akuzuarve kanë zhvilluar një sulm të gjerë dhe sistematik ndaj popullsisë civile të kombësisë sqiptare.

“Momir Stojanoviç, Nikolla Miqunoviç, Sreten Çamovia, Millovan Kovageviq dhe Sergej Peroviq, me pretekstin e pastrimit te terrenit nga forcat e UÇK-se, ata krijuan planin e spastrimit etnik te popullsisë shqiptare të ashtuquajtur "Reka e Keqe" në zonën e Caragojit, ku planifikuan vrasjen e mbi 100 personave dhe djegien e të gjitha shtëpive në shenjë hakmarrje për vrasjen e pesë policive nga UÇK, ashtu që në implementim te këtij plani forcat serbe fillimisht i rrethuan fshatrat e lartcekura me automjetet ushtarake dhe policore”, tha prokurori Ilir Morina.

Në aktakuzë detajohen dhe vrasjet barbare të kryera nga forcat serbe.

“Forcat serbe i ndajnë burrat nga grat dhe fëmijët, këta të fundit nën kërcënimin e armeve i urdhërojnë që të largohen në drejtim të Shqipërisë, kurse burrat i ekzekutojnë në mënyrë më barbarë në vende të ndryshme, me ç'rast në fshatin Meje, u vranë 283 civil, në fshatin Korenicë, u vranë 66 civil, në fshatin Pacaj, një civil, në fshatin Dobrosh, tre civil, në fshatin Rracaj, tre civil, në fshatin Nec, dy civil, në fshatin Ramoc, pesë civil, në fshatin Bishtazhin, shtatë civil, gjithsej 370, civil të nacionalitetit shqiptar, trupat e të cilëve janë gjetur në tetë varreza masive ne Batajnicë të Serbisë”, shton Morina.

Serbët akuzohen edhe për dëbim, shkatërrim dhe plaçkitje pasurie. 

“Mbi 20 mije banor u depërtuan për Shqipëri në dy pika kufitare, në Qafë Prushë dhe Morinë, ndërsa pasuria e tyre u plaçkit dhe shtëpitë e tyre u dogjën me objekte banimi përcjellëse, me ç' rast e tërë ekonomia familjare e këtyre fshatrave u shkatërrua tërësisht, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale”, përfundoi prokurori.

Në shqyrtimin e sotëm fillestar patën ankesa disa avokatë për pajisjen në shkresa të lëndës, por që Prokuroria Speciale e Kosovës shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në këtë drejtim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos