Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se kanë nisur procedurat për largimin me forcë nga territori i Kosovës i shtetasit me iniciale N.V., i cili ishte pjesëtar i inteligjencës dhe policisë së Serbisë (BIA). Po këtij personi iu hoq edhe shtetësia e Kosovës.
“Drejtoria për Migrim dhe të Huaj njofton se ndaj personit në fjalë është duke u zhvilluar procedura bazuar në ligjet që rregullojnë këtë çështje dhe lidhur me këtë ka lëshuar vendimin për largim me forcë të personit N.V., nga territori i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se deri në përfundim të këtyre procedurave, në përmbushje të kushteve për ekzekutimin e vendimit, personit në fjalë i është shqiptuar masa e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë të kryej detyrat e saja kushtetuese dhe ligjore dhe të zbatojë vendimet e institucioneve shtetërore të vendit", vijon më tej njoftimi. (A2 Televizion)