
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mëngjesin e së premtes në autostradën Suharekë–Malishevë, ku një menaxher i një poste private është bërë shënjestër e një grabitjeje të armatosur.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, viktima mashkull kosovar ka deklaruar se, derisa po drejtonte automjetin e tij, një veturë pa targa i ishte afruar dhe një person nga ajo veturë kishte shtënë disa herë me armë zjarri, duke goditur automjetin e tij.
Për shkak të të shtënave, viktima ishte detyruar të ndalet, dhe në atë moment nga vetura e dyshuar kishin dalë dy persona të maskuar, të cilët i kishin grabitur një shumë të konsiderueshme parash, që sipas viktimës ishin para të postës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, përfshirë hetuesit dhe forenzikën, të cilat po punojnë në identifikimin e të dyshuarve dhe sqarimin e plotë të rastit. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar. Kosovapress. (A2 Televizion)
