Kërkohen 6 vite burg për Thaçin. Kurthi i prokurorisë, 28 orë përgjime: Fol shkurt, me po ose jo

Nga Xhevahir Qardaku
10 Shtator 2026, 14:14 | Kronikë

Kërkohen 6 vite burg për Thaçin. Kurthi i prokurorisë, 28

Prokuroria tha fjalën e fundit kundër Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale në Hagë… Pasi mbështeti akuzat për pengim të drejtësisë, prokurori Joshua Hafetz, kërkoi shpalljen fajtor të ish presidentit të Kosovës dhe dënimin e tij.

“Thaçi 6 vjet burgim, që do vuhet në vijim të ndonjë dënimi që mund të jepet në çështjen 6 nëse do të jepet”, tha Hafetz.

Në këtë çështje, Thaçi është bashkë me Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj, për të cilët, prokurori kërkoi gjithashtu dënim me burg, por më pak se ish presidenti, shkruan A2 CNN. Në seancë, Prokuroria përfundoi deklaratën përmbyllëse, ndërsa nxori 28 orë audiopërgjime të 9 vizitave që ka pasur Thaçi në Hagë në 4 muaj, gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim.

“Përmbajtja e incizimeve është rrënuese për zotin Thaçi dhe të bashkakuzuarit. Arsyeja është sepse vizitë pas vizite, Thaçi ka folur me një zë normal për temat e përditshme dhe më pas e ulte zërin dhe pëshpëriste për të dhënë udhëzime konkrete se çfarë duhet t’u thoshin vizitorët dëshmitarëve”, tha Hafetz.

Disa prej tyre u lëshuan në sallë që t’i dëgjonte Gjyqtari i çështjes. Thaçi: “Shkurt: jo, po, po, jo. Ne e përgatisim të keqen… Këto thuaji”.

“Thaçi i ka bërë të qarta si kristal udhëzimet e veta. Ai i thotë Fazliut që të përdorë të birin që të organizojë një takim me Mustafën dhe t'i thotë Mustafës se çfarë duhet të bënte. Duke përfshirë si më poshtë: dëshmitë të ishin të shkurtra, të përgjigjej me 'po, jo', 'jo, po'. Të shkurtonte gjërat, mos liheshin gjërat me fund të hapur. Të përdoret seanca për përgatitjen e dëshmitarët për ta bërë punën dhe për të shmangur rrëshqitjen. Thaçi aty zbuloi faktin konfidencial të kohës që mendohej që të merrej në pyetje zoti Mustafa, për qëllimin konkret për të theksuar rëndësinë e Mustafës për t'u përgjigjur me përgjigje të shkurtra”, tha Hafetz.

Kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, në nisje të fjalës përmbyllëse pretendoi se Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tjerë për muaj të tërë tentuan të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve për rastin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Vendimi për atë rast pritet që të shqiptohet më 16 shtator. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos