Shpallet fajtor për gazin lotsjellës, ministri i Brendshëm i Kosovës dënohet me 1 vit burg

Nga Xhevahir Qardaku
8 Shtator 2026, 11:55 | Kronikë

Shpallet fajtor për gazin lotsjellës, ministri i Brendshëm i

Është ministër i brendshëm, në detyrë, por u dënua me një vit burgim me kusht. Gjykata në Prishtinë shqiptoi vendimin ndaj Xhelal Sveçlën që ishte shpallur fajtor për “përdorim të armës” apo “mjetit të rrezikshëm”. Rasti lidhet me zhvillimet në seancën e Kuvendit të Kosovës më 21 mars 2018, kur po shqyrtohej ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Gjykata ka vendosur që dënimi të mos ekzekutohet nëse Sveçla nuk kryen vepër tjetër penale gjatë afatit të kushtëzuar.

“Dënim me burgim me kohëzgjatje 1 viti, nëse nuk kryen vepra penale brenda afatit të kushtëzuar. Pala mund të parashtrojë ankesë brenda 30 ditësh”, tha gjyqtari Sabit Sadikaj.

Ai është i detyruar gjithashtu të paguajë 50 euro shpenzime gjyqësore. Ndërkaq, prokurori Valdrin Krasniqi i propozoi gjykatës që Sveçlës t’i shqiptohet dënim me dy vjet burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë.

“Gjykatës i propozojmë që, me rastin e matjes së dënimit, të pandehurit Xhelal Sveçla t’i shqiptohet dënim me burgim efektiv me kohëzgjatje prej dy vitesh dhe dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë eurosh”, tha prokurori Valdrin Krasniqi.

Kryetari i trupit gjykues, Sabit Sadikaj, më 2 shtator e kishte shpallur fajtor Sveçlën, ndërsa shqiptimin e dënimit e kishte lënë për një datë tjetër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos