Kosova lëshon fletarrestim ndaj Radoçiçit për krime lufte

Nga A2 CNN
28 Prill 2025, 12:14 | Kronikë

Kosova lëshon fletarrestim ndaj Radoçiçit për krime

Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar fletarrestim ndaj Millan Radoçiçit dhe 19 serbëve të tjerë, të dyshuar për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Sipas dokumentit, të publikuar nga Reporteri.net, Radoçiç – ish-nënkryetar i partisë të serbëve në Kosovë, Lista Serbe - akuzohet se ishte pjesë e një grupi serbësh që vranë 106 civilë shqiptarë, trupat e të cilëve më pas u gjetën në një varrezë masive në Serbi.

Autenticiteti i këtij dokumenti është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga zyrtarë brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ne kërkesë ka cituar se me datë 18.03.2025 ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurve për shkak të dyshimit të arsyeshëm se në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur 'Ura e Taliqit' në Gjakovë nga data 7 maj e deri më date 10 maj te vitit 1999, pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policor serbe të uniformuar, në mesin e tyre edhe të pandehurit e lartcekur filluan të hyninin shtëpi për shtëpi, ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezentë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe me pas i vranë gjithsej 106 civilë të nacionalitetit shqiptarë dhe pas luftës trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Batajnice të Serbisë”, thuhet në arsyetimin e fletarrestimit.

Po ashtu, në dokument thuhet se ky grupi i personave, nga 7 maji i vitit 1999 deri më 10 maj të po atij viti kishte arrestuar dhe burgosur më shumë se 300 civilë shqiptarë, të cilët “u mbajtën në burgje të improvizuara, ku nuk kishin trajtim human duke iu munduar gjërat elementare, ushqimi i rregullt, higjiena dhe kujdesi mjekësor dhe më pas një pjesë e madhe e këtyre të burgosurve ishin dërguar në burgje të ndryshme të Kosovës”. Në fund, sipas Gjykatës Themelore, këta persona u liruan pas qershorit të vitit 1999, me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.

Për të gjithë të pandehurit që është lëshuar fletarrestim, autoritetet e Kosovës nuk e dinë adresën e tyre. Ndërkaq, në mesin e tyre është edhe Llazar Drashkoviq, ndaj të cilit veçse ka një urdhërarrest aktiv ndërkombëtar lidhur me masakrën e Mejës.

Ndryshe, Radoiçiq veçse kërkohet nga autoritetet e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023. Ai e mori përgjegjësinë për këtë sulm, ku u vra një polic i Kosovës, dhe gjerësisht besohet se gjendet i lirë në Serbi. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos