Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, e cila besohet se u krye për motive që lidhen me punën e tij zyrtare. Ky fakt është bërë publik nga autoritetet policore në një deklaratë për mediat. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi se disa nga të dyshuarit kanë të kaluar kriminale dhe kanë qenë të arrestuar më parë për raste të ndryshme, përfshirë edhe ato me prirje ekstremiste.
“Ne kemi arritur të sigurojmë prova dëshmi, të cilat i lidhin këtë grup kriminal me vrasjen e rreshterit tonë, mbetet të shihet backgroundi i tyre, disa nga ta kanë pasur të kaluar kriminale kanë qenë të arrestuar rreth rasteve të më hershëm me prirje ekstremiste, por për çështjen e terrorizmit duhet ta shohim pastaj sepse hetimet do të vazhdojnë tutje për të vërtetuar këtë punë, janë persona të dyshimtë të rrezikshëm të cilët, ne dyshojmë që e kanë kryer këtë vrasje dhe kanë planifikuar dhe bashkëekzekutua”, theksoi ai.
Ndërsa i pyetur se a ka qenë në detyrë rreth këtyre ngjarjeve, Hoxha tha se rreshteri ka qenë në detyrë në “mbështetje të hetimeve të policisë me qëllim të ndriçimit të rasteve të më hershme”, dhe se kanë qenë të arrestuar në lidhje me pamfletin dhe djegien e gjykatës në Kaçanik.
“Rreshteri jonë ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste dhe ka punuar në mbështetje të hetimeve të policisë me qëllim të ndriçimit të rasteve të më hershme. Këta janë persona të dyshimtë që kanë qenë disa prej tyre kanë qenë të arrestuar te rastet e më hershme në lidhje me pamfletin dhe djegien e gjykatës në Kaçanik”, tha ai.
Nga ana e tij, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, ka thënë se janë arrestuar shtatë persona dhe vrasja e rreshterit Muhamed Lika nga hetimet e para dyshohet se ndërlidhen me punën e tij si zyrtar policor.
Lika u gjet i plagosur rëndë në hyrjen e ndërtesës ku banonte, më 1 prill rreth orës 23:00. Ai u transportua për në Qendrën e Mjekësisë, në Kaçanik, por nuk arriti ti mbijetonte plagëve të pësuara. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e dënoi vrasjen e policit, duke thënë se "sulmi ndaj çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Republikës së Kosovës". (A2 Televizion)