Të huaj që vijnë në Shqipëri dhe shqiptarë që largohen jashtë vendit. Është kjo dinamika e konstatuar këtë vit, duke sinjalizuar se turizmi do të ketë sfida të forta, pavarësisht përzgjedhjes së vendit si një destinacion i rëndësishëm turistik në rajon.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në tremujorin e parë të këtij viti u futën në territorin shqiptar mbi 1.6 milionë të huaj, me rritje 5.9% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Nga një rritje edhe më e ndjeshme u karakterizuan edhe lëvizjet e shqiptarëve jashtë vendit, shumë prej të cilëve zgjedhin vendet e tjera për të pushuar.
Mbi 1.8 milionë shqiptarë dolën jashtë vendit në tremujorin e parë të këtij viti ose 7.3% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Shifrat e mësipërme tregojnë për një bilanc negativi në lëvizjen e shtetasve, element i rëndësishëm në analizimin e situatës në sektorin e turizmit.
Janë mbi 257 mijë më shumë shqiptarë që kanë ikur sesa të huaj që kanë ardhur në Shqipëri. (A2 Televizion)