Ish-Uzina e Autotraktorëve do të rigjallërohet në funksion të Industrisë Ushtarake për prodhimin e uniformave dhe montimin e mjeteve të blinduara, transportuesve të artilerisë, zjarrfikëseve dhe autoambulancave. Kjo është bërë e ditur nga kryeminsitri Edi Rama gjatë prezantimi të projektit për rigjallërimin e saj.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha dhe ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu u prezantuan sot banorëve të njësisë nr. 1, Shkozë, projektin e ri për ndërtimin e një impianti të teknologjisë së lartë.
“Bëhet fjalë për një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për Forcat tona të Armatosura, për ekonominë tonë kombëtare dhe për komunitetin këtu pasi në kuadrin e rilindjes së industrisë ushtarake në Shqipëri, ne kemi një sërë projektesh për rijetësimin e një infrastrukture të vjetër të mbetur jashtë funksionit, siç është dhe kjo strukturë këtu apo siç ishte dhe infrastruktura e kompleksit industrial të Rubikut apo infrastruktura të tjera në territorin e Shqipërisë, ku synimi ynë është që të ndërtojmë një rrjet të plotë të prodhimit në vend për nevojat e Forcave tona të Armatosura, për nevojat e forcave tona të Policisë, për nevojat e forcave tona zjarrfikëse, por edhe për eksport. Kjo do të bëjë që nga njëra anë rritja e përvitshme dhe domethënëse e buxhetit të mbrojtjes të shkojë për të stimuluar ekonominë tonë kombëtare”.
Nga ana tjetër, theksoi kryeministri “përmes krijimit të këtyre hallkave të reja të një zinxhiri prodhues, të krijohen vende të reja pune për teknikë dhe për ekspertë të nivelit të lartë dhe sigurisht, patjetër edhe që përmes këtij procesi të stimulojmë edhe teknologjinë e inovacionit”.
Rama njoftoi se do të fillojë edhe investimi për prodhimin e veshjeve, uniformave ushtarake dhe të policisë në vendin tonë.
“Edhe në këtë aspekt i kemi të gjitha mundësitë që të bëjmë prodhime të cilësisë shumë të lartë dhe të krijojmë vende pune dhe të furnizojmë Forcat tona të Armatosura apo forcat e rendit me uniforma shumë cilësore dhe më pak të kushtueshme dhe nga ana tjetër, të krijojmë një bazë prodhuese që do të mund t’i shërbejë edhe prodhimit të eksportit kështu që në këto mijëra metra katrorë që janë këtu, që sot siç e shohim të gjithë janë jashtë çdo funksioni, do të krijojmë një hapësirë ku do të ketë punë, do ketë ekonomi dhe do ketë zhvillim”.
Ndërkohë ministri Hoxha u shpreh se ky projekt do të hapë vende të reja pune si edhe zhvillim për zonën.
“Ky projekt përfshin një investim serioz në teknologjinë moderne dhe inovative për prodhimin e automjeteve ushtarake dhe uniformave me cilësi të lartë për Forcat e Armatosura dhe Policinë e Shtetit, i cili vjen si rezultat i bashkëpunimit mes kompanisë shtetërore Kajo dhe kompanisë Timak. Ky është një investim i rëndësishëm ekonomik për mbarë vendin, por për njësinë 1, ky është një projekt transformues, që do sjellë zhvillim dhe do të hapë vende pune, jo vetëm në pozicione të specializuara, por edhe në shërbim mbështetëse, duke krijuar një pol zhvillimi për njësinë e duke krijuar një të ardhme më të mirë për shumë familje në këtë zonë” u shpreh Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.
Në vijim, Kryeministri Rama bashkëbisedoi me banorët lidhur edhe me çështje e problematika të ndryshme të ngritura prej tyre. (A2 Televizion)