Prokuroria e Ferizajt në Kosovë, i ka kërkuar gjykatës të urdhërojë një muaj paraburgim për gjashtë të dyshuarit e arrestuar në lidhje me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.
Të dyshuarit, të cilët u identifikuan nga prokuroria vetëm me iniciale vijnë nga Kaçaniku në jug të Kosovës. Ata akuzohen për vrasje të rëndë.
Muhamed Lika u vra natën e 1 prillit në shkallët e ndërtesës ku jeton në Kaçanik, derisa po kthehej në banesën e tij nga puna. Ai u vra pasi u qëllua mbrapa shpinës nga një i mitur, i cili veproi në bashkëkryerje me pesë të dyshuarit e tjerë pak pasi kishte hyrë në ndërtesën ku jeton, tha prokuroria.
Që të gjashtë të dyshuarit u arrestuan të hënën gjatë një operacioni të gjerë policor në Kaçanik dhe u dërguan në mbajtje për 48 orë. (A2 Televizion)