Pesë vrasje në 48 orë, nga fajdeja te parkimi, Kosova tronditet nga krimi

Nga A2 CNN
12 Gusht 2025, 18:05 | Kronikë

Kosova është tronditur nga pesë vrasje në 48 orë, ndërsa vetëm në ditët e para të gushtit janë shënuar gjithsej 6 vrasje.

Rasti më i rëndë u regjistrua në Gjilan, ku Selami e Edmond Hashani si dhe Abedin Hoxha mbetën të vrarë nga Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij Edonis dhe Engjull me motivet që dyshohet të jenë për fajde.

Mefail dhe Edonis Shkodra të cilët ishin në paraburgim deri në tetor të vitit 2024 u liruan pasi dhanë garanci pasurore deri në 70 mijë euro për të dy. 

“Gjyqësori është përgjegjës për krimin që ka ndodhur në Gjilan. Gjyqësori të jap llogaridhënie dhe të merr masa të ashpra sa herë ka lëshime të tilla, nëse janë këto lëshime profesionale dhe ato duhet të ndëshkohen, por asesi të mos mbeten të pandëshkuara”, shprehet Mentor Vrajolli.

Për shkak të rëndësisë së ruajtjes së integritetit të hetimit dhe shmangien e çdo ndikimi mbi dëshmitarë apo prova, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës pezullimin për 4 efektivë policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.

Për njohësit e sigurisë standard i njëjtë duhet të ndiqet edhe me prokurorët e gjyqtarët.

“Edhe në këtë rastin e Gjilanit u suspenduan apo u kërkua për suspendim për disa policë, që është në rregull, mendoj se institucionet duhet të suspendojnë secilin që mendojnë se kanë qenë të përfshirë në aktivitetet që nuk i përket profesionit të tyre, megjithatë standardi nuk po mbahet i njëjtë”, shton Vrajolli.

Të dielën në mbrëmje mbeti i vdekur edhe Hekuran Shala pas një fjalosjeje me të dyshuarin Erolind Badalli, pasi paraprakisht kishin nxitur një përleshjeje mes qensh.

Mbrëmjen e së hënës, me një plumb në kokë Xhemail Nuhiu e privoi nga jeta Muhamet Matoshin pas një konflikti për parkim.

“Edhe këto fenomene nuk janë duke u trajtuar aq seriozisht, kjo jo dosmosdosmhërisht është faji i gjyqësorit, këtu ka dështime dhe të hallkave të tjera, mendoj se parandaimi i hershëm i krimit duhet të ndodh në sistemet e edukimit, në instanca të tjera dhe jo të pritet që policia apo gjyqërori të parandalojë çdo krim”, shton Vrajolli.

Policia konfirmoi të martën se ka arrestuar Top Kolshin për vrasjen që ndodhi në një fshat të Lipjanit më 4 gusht.

I ndjeri Enver Bajraktari ishte gjetur i groposur në arë. Sipas prokurorisë, Kolshi e ka pranuar fajësinë ndërsa për motivet dyshohet të jenë për çështje pronësore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos