Vritet një person me armë në Prishtinë

Nga A2 CNN
11 Gusht 2025, 23:22 | Kronikë

Vritet një person me armë në Prishtinë

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se një person është vrarë në mbrëmjen e së hënës në Prishtinë.

“Sot rreth orës 22:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në Hajvali, ku është vrarë një person. Vdekja e viktimës mashkull është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti në përgjigje.

Ajo ka treguar se policia i ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit, dhe është në kërkim të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar.

Kjo është vrasja e pestë që ka ndodhur në Kosovë brenda dy ditësh.

Më 10 gusht është raportuar për vrasje të trefishtë në Gjilan dhe një vrasje që dyshohet të jetë kryer me thikë në Prizren.

Të dyshuarit për vrasjen në Gjilan janë në arrati, ndërsa ai për vrasjen në Prizren është arrestuar.

Autoritetet kanë thënë se janë duke kryer hetime dhe nuk kanë dhënë hollësi mbi motivlet e vrasjeve.

Për vrasjen e trefishtë në Gjilan kanë reaguar zyrtarë të lartë shtetërorë, të cilët kanë kritikuar sistemin e drejtësisë, meqë dy prej tre të dyshuarve kryesorë – Mefail dhe Edonis Shkodra - kanë qenë në paraburgim në të kaluarën dhe sipas Ministrisë së Drejtësisë, janë liruar me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ministria i ka bërë thirrje Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor që t’i nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë qenë të përfshirë.

Edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në atë që e ka përshkruar si “veprimtari kriminale të Mefail Shkodrës”.

Njohësit e çështjeve të sigurisë kanë bërë thirrje disa herë që shteti të bëjë më shumë sa i përket konfiskimit të armëve ilegale, pasi argumentojnë se ato mund të gjenden lehtë në tregun e zi. Ata, po ashtu, kërkojnë rritjen e operacioneve policore, për të ulur numrin e incidenteve të armatosura./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos