Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin për spiunazh, Fatmir Shehollin

Nga A2 CNN
10 Tetor 2025, 16:40 | Kronikë

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin për spiunazh,

Prokuroria Speciale e Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë të urdhërojë mbajtjen e Fatmir Shehollit në paraburgim, derisa autoritetet po kryejnë hetime ndaj tij nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në spiunazh kundër shtetit.

Sheholli u arrestua të enjten në rrethin e Prishtinës pas hetimeve disamujore kundër tij.

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, tha të enjten, pas arrestimit, se Sheholli ka pasur “hapësira të pakufizuara” në mediat e Kosovës, dhe se ai ka “bashkëpunuar me aktorë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”.

Prokuroria deri tani nuk ka dhënë hollësi për atë se për kë dyshohet të ketë spiunuar Sheholli, por Sveçla la të kuptohej se ai mund të ketë spiunuar për Serbinë.

“Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm”, shkroi Sveçla në Facebook.

Policia e Kosovës kreu bastisje në vendbanimin e të dyshuarit të enjten.

Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në qershor, gjykata në Prishtinë e dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Dy të dyshuar të tjerë, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut.

Në një rast tjetër po gjykohet edhe serbja Jellena Gjukanoviqit, e cila akuzohet për spiunazh për inteligjencën serbe. Ajo e ka mohuar fajësinë.

Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.

Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.

Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare.

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, e konsideron spiunazhin si një prej kërcënimeve kryesore të sigurisë kombëtare në vend. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos