
Rreth 80 prokurorë dhe pjesëtarë të personelit të institucionit të akuzës ishin të angazhuar sot në mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në Republikën e Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Shtetit ka pranuar disa informacione gjatë ditës, të cilat pas verifikimit nuk kanë rezultuar problematike, përveç dy rasteve që përmbajnë elemente të veprave penale kundër të drejtave të votimit.
Rasti i parë është evidentuar në komunën e Fushë Kosovës, ku dy persona dyshohen për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, të sanksionuar nga neni 212 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit, shkruan A2 CNN.
Rasti tjetër është regjistruar në komunën e Klinës, ku një person dyshohet për veprën penale “Cenim i fshehtësisë së votimit”, sipas nenit 215 të Kodit Penal. Edhe ai është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.
“Prokurorët do të vazhdojnë aktivitetet e tyre edhe pas mbylljes së vendvotimeve, duke u kujdesur gjatë procesit të numërimit të votave dhe deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit”, tha Prokuroria. (A2 Televizion)
