Radha e dëshmitarëve të mbrojtjes, gjyqi kundër ish-krerëve të UÇK hyn në fazën përfundimtare

Nga Xhevahir Qardaku
15 Shtator 2025, 10:52 | Kronikë

Radha e dëshmitarëve të mbrojtjes, gjyqi kundër

Sot është një ditë tepër e rëndësishme në Gjykatën Speciale me seli në Hagë. Gjyqi ndaj ish komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hyn zyrtarisht në fazën përfundimtare.

James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, do të dëshmojë në mbrojtje të Hashim Thaçit.

Avokati mbrojtës i ish presidentit, Pierre Richard Prosper, para nisjes së seancës, nënvizoi se tani është koha që të zbulohet e vërteta e Kosovës e vitit 1999, shkruan A2 CNN.

“Do të jetë një fillim i ri ku ju do të shihni prova të reja që do të tregohen, për të vërtetuar që presidenti nuk është përgjegjës për akuzat që i janë bërë”, u shpreh avokati. Thaçi ka angazhuar dhe 11 dëshmitarë të tjerë në mbrojtje të tij. Më pas do të jetë radha e ish kryetarit të kuvendit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe ish deputetit, Rexhep Selimi.

Prokuroria Speciale i akuzon ish krerët e UÇK për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit, duke pretenduar se ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Për seancën e sotme është vënë re një interesim i madh i familjarëve të atyre që mbahen prej 5 vitesh në Hagë, i mediave, gjithashtu edhe i qytetareve të shumtë që i mbështesin ish-krerët e UÇK-së. Të dielën u zhvillua një manifestim masiv kur morën pjesë mbi 10 mijë persona duke kërkuar drejtësi dhe lirimin sa më të shpejtë të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos