Arrestohet në Merdarë një tjetër shqiptar i Kosovës, reagon MPJD: Janë njoftuar vendet e Quint-it

Nga A2 CNN
9 Shtator 2025, 20:59 | Kronikë

Arrestohet në Merdarë një tjetër shqiptar i Kosovës,

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka konfirmuar arrestimin e qytetarit kosovar, Hazir (Arif) Haziri, nga autoritetet e Serbisë më 8 shtator 2025, në pikën kufitare të Merdarës, gjatë hyrjes së tij në territorin serb me automjet privat.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është angazhuar përmes kanaleve diplomatike për të siguruar informacion të plotë mbi ndalimin e tij. Sipas MPJD-së, është adresuar një kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe për të konfirmuar arrestimin dhe për të sqaruar arsyet ligjore të tij, shkruan A2 CNN.

Rasti është bërë i ditur edhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi dhe përfaqësuesve diplomatikë të vendeve të Quint-it, në përpjekje për të garantuar transparencë dhe mbikëqyrje ndërkombëtare. Nëse ndaj Haziri vendoset paraburgimi dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të kërkojë vizitë zyrtare në qendrën e ndalimit.

MPJD bën thirrje për shmangien e udhëtimeve përmes territorit të Serbisë, për të garantuar sigurinë e qytetarëve kosovarë, dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga Bashkësia Ndërkombëtare ndaj praktikave represive të autoriteteve serbe, që sipas saj shkelin parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe konventat për të drejtat e njeriut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos