Me pranga në duar dhe kokën ulur hynë në sallë. Gjykata Themelore në Prishtinë mbajti seancën e shqyrtimit fillestar për rastin e rëndë të vrasjes së Liridona Ademajt. Gjykatësja Fatime Dermaku pyeti Naim Murselin, Kushtrim Kokallën, Granit Plavën dhe Tom Dodajn nëse e kuptojnë çështjen e ngritur kundër tyre nga prokuroria.
Prokurorja e rastit lexoi aktakuzën duke konfirmuar se gjithçka ishte organizuar nga Naim Murseli si hakmarrje dhe për të përfituar para nga një siguracion jete në Suedi, ndërsa tregoi këto detaje të ngjarjes makabre përmes një përkthyesi.
Më pas të akuzuarit u pyetën lidhur me vetëdeklarimin e tyre.
Naim Murseli: plotësisht i pafajshëm…
Tom Dodaj: pranoj fajësinë…
Kjo bëri që gjykatësja të shpallë dhe dënimin për të.
“Tom Dodaj dënohet me 5 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”. Vendimi prej 5 vitet burgim është për shkak të pasojës së rëndë”, tha gjykatësja.
Gjyqtarja Dermaku sqaroi se Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla mund të dënohë të paktën nga 10 vite deri në burgim përjetë nëse shpallen fajtor për akuzat e ngritura kundër tyre. Në përfundim të seancës, avokati i familjes Ademaj përshëndeti dhënien e dënimit të parë. Megjithatë pala mbrojtëse e Dodajt njoftoi apelimin e dënimit.
Vrasja e rëndë e Liridona Ademaj ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit 2023, në një fshat afër Prishtinës. Fillimish ishte raportuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si vrasje pas një grabitjeje, por hetuesit zbuluan shpejt se ishte një krim i organizuar nga Naim Murseli. (A2 Televizion)