Kosova vijon të përpiqet të mbajë nën kontroll çmimet e karburanteve vetëm përmes caktimit të marzhës së fitimit, që është 12 centë për shitjen me pakicë dhe 2 centë për atë me shumicë.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se heqja e akcizës nuk është opsion në situatën aktuale.
“Sa i përket akcizës, mbetet të përcillet situata aktuale. Nuk e konsiderojmë si opsion heqjen e akcizës, por përcjellim situatën në të cilën çmimi i importuar nuk e ka kaluar çmimin tavan, i cili është 12 centë në pakicë dhe 2 centë në shumicë. Por situata më tutje mbetet të shihet.” tha ministrja.
Përpos akcizës, nga komuniteti i biznesit është kërkuar edhe ndërhyrja në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), gjë që është hedhur poshtë nga ministrja Kusari-Lila, raporton A2CNN.
“TVSH-ja asnjëherë nuk ka qenë opsion, pasi është shumë problem të përcillet. TVSH-ja është tatim në vlerë të shtuar; është ajo çfarë paguhet nga qytetari, dmth nga secili konsumator përfundimtar. Lehtësisht thuhet, por është shumë më e vështirë e aplikueshme, për shkak se mund të përfundojmë në situata kur TVSH-ja hiqet, por çmimi mbetet i njëjtë, për shkak se operatorët ekonomikë nuk e heqin.”, u shpreh Lila.
Kusari-Lila këmbënguli se modeli aktual me caktimin e çmimit “tavan” po jep efektet e veta, përkundër paralajmërimit të shtrenjtimit edhe të produkteve apo shërbimeve të tjera.
“Të paktën marzha e parandalon ngritjen përtej vlerës së fiksuar. Ne do të shohim nëse ka ndonjë model tjetër gjithashtu në ditët në vijim, për shkak se këtij vendimi i skadon afati më 4 prill. Më 4 mars e kam marrë vendimin e parë, më 4 prill skadon ky vendim, që të shohim a mundemi në kuadër të të njëjtit model apo një model i cili do të ketë një funksionim më të mirëfilltë.” tha ministrja.
Ajo theksoi se ministria po monitoron vazhdimisht tregun për të parandaluar çdo abuzim dhe është duke hartuar masa strategjike për të forcuar qëndrueshmërinë ndaj krizave.
Sipas ministres Kusari-Lila, po përgatiten gjithashtu plane të detajuara për të rritur rezistencën e vendit ndaj ndikimeve të ndryshme në tregun botëror. (A2 Televizion)