Kosova është e rrezikuar nga spiunashi serb. Alarmin e ka ngritur Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Bekim Kodraliu.
Në një prononcim për Radio Europa e Lirë, Kodraliu bën me dije se siguria e Kosovës po rrezikohet nga raste spiunazhi të lidhura me shërbimet sekrete serbe.
Arrestimet e fundit ngrenë shqetësime për përmasat e kërcënimit dhe gatishmërinë institucionale për t’u përballur me të, përcjell A2.
Veprimet e spiunazhit rrezikojnë drejtpërdrejt rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe sigurinë e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, shtoi ai. Megjithatë, ai siguron se kjo strukturë është e përgatitur dhe e gatshme të ndërmarrë veprime hetimore në çdo moment për raste të tilla.
“Gjatë trajtimit të këtyre rasteve, Prokuroria vepron në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Si rezultat të kësaj pune, Kodraliu përmend në mënyrë të veçantë aktgjykimin e parë për spiunazh në Kosovë, dhënë ish-zyrtarit policor, Aleksandar Vllajiç. (A2 Televizion)