Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi Policia e Kosovës ka gjetur në Mitrovicë të Veriut dy raketahedhës krahu të njohura si zolla prodhim serb.
Sveçla përmes një postimi në Facebook tha se Beogradi asnjëherë nuk është distancuar nga veprimtari të tilla, duke shtuar se stimulimi vie pikërisht nga Serbia, transmeton KosovaPress.
Në anën tjetër, Beogradi jo vetëm që nuk është distancuar asnjëherë nga këto mjete dhe veprime në veri të vendit, por përkundrazi, për vite me radhë i ka stimuluar, organizuar dhe furnizuar grupet terroriste dhe bandat kriminale, me të vetmin qëllim: cënimin e integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës", thuhet në postimin e tij.
Tutje, Sveçla thotë se autoritetet e Kosovës janë të vendosur për të çmontuar çdo prani kriminale në vend.
"Ne, megjithatë, jemi të vendosur që në mënyrë sistematike dhe pa asnjë dilemë të çmontojmë çdo prani kriminale apo potencial terrorist në vendin tonë. Çdo ditë e më shumë po e kthejmë rendin në atë pjesë të territorit dhe, bashkë me të, edhe investimet dhe zhvillimin për të gjithë qytetarët, pa dallim", përfundoi ai.
(A2 Televizion)