Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, në orët e paradites të së mërkurës ndërmori një operacion në të gjithë rajonin e Mitrovicës. Nën dyshimet për veprat penale “detyrim” si dhe “import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve”, u shoqëruan 16 persona, 13 prej të cilëve përfunduan në ndalim për 48 orë.
“Me urdhër të Gjykatës Themelore të Mitrovicës janë kontrolluar 21 lokacione, përfshirë këtu në Mitrovicën e Veriut, në Mitrovicën e Jugut, në Leposaviq, në Vushtri dhe në Skenderaj”, raporton gazetari i A2 CNN Ideal Gola.
Në Zveçan, pjesë e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë së veriut, është arrestuar edhe një efektiv i Policisë së Kosovës.
“Kemi bastisur 4 lokacione në veri të vendit, dy në Mitrovicë veri, një në Leposaviq, dhe një në Zveçan. […] Gjatë kësaj kohe është arrestuar një koleg i yni, një polic, të cilin unë e kam suspenduar për shkak se ka qenë polic i imi dhe në bazë të përgjegjësive dhe obligimit që unë kam, është suspenduar”, tha drejtori i Policisë në Veri Veton Elshani.
Siç mësohet, efektivi i pezulluar është Tadija Radivojeviq. Pjesëmarrja e tij në një rast si ky shihet si i izoluar.
“Unë e shoh vetëm si një rast i izoluar sepse Policia e Kosovës e ka edhe mbikëqyrjen e saj nga instanca më të larta. […] Andaj ka kush i kontrollon, ka kush i heton por edhe ka kush i arreston gjithmonë duke pasur parasysh edhe rastet e izoluara sepse po të ishte tjetër do të ishin më shumë, dhe do të dilnin një rrjet të krimit të organizuar”, u shpreh Arben Dashevci ekspert i sigurisë.
Si dëshmi materiale gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona celularë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR. (A2 Televizion)